Unë votoj JO, sepse përballem

Analizë Opinion

Nga Brizida Gjikondi

Birgit Berg Khoshnavaz thotë me ironi që “zgjedhësit çdo 4 vjet bëjnë kryqin e tyre (tek subjekti që zgjedhin) pastaj ju duhet ta mbajnë këtë kryq mbi shpinë”Ndërkohë unë me vetëdije kam zgjedhur ti jap një kryq të madh gjithë fletës së votimit, dhe pikërisht këtë kryq të dukshëm ndaj kësaj kaste politike të kalbur dhe këtij sistemi antikombëtar zgjedhor, jam e gatshme ta mbaj me durim mbi shpinë siç kam vite që e mbaj, por të paktën unë u përballa.

Mospjesëmarrja në votim, nuk e cenon absolutisht ligjshmërinë e procesit zgjedhor, edhe 3 shqiptarë të vetëm të shkojnë të votojnë ky proces quhet i ligjshëm.

E njëjta gjë është në Itali Francë, Gjermani etj, vetëm Maqedonia e Veriut e ka të domosdoshëm përqindjen e pjesëmarrjes për të legjitimuar procesin.

Mospjesmarrja në votim, nuk përbën statistikë as impakt as ndikim dhe as revolucion në këtë amok korruptiv që ka bllokuar zhvillimin e Shqipërisë. Sipas Kodit Zgjedhor shqiptar vetëm për referendumet duhet përqindja e pjesmarrjes që ta bëj të vlefshëm procesin zgjedhor.

Por në Shqipërinë e kësaj epoke po ndodh një tragjikomedi fatale, votimi me opinione në rrjetet sociale po kërkon të zëvendësojë votimin kushtetues (këtu e kam fjalën dhe për anulimin me kryq të votës), ndërkohë që dihet që votimi virtual nuk sjell asnjë pasojë për mirë a për keq ndër jetët e shqiptarëve, përkundrazi, shton qaramanët e sipërfaqshëm dhe heronjtë e tastierës që kurrë nuk i dhanë fytyrë. zë dhe paanësi ekzistencës, rebelizmit dhe ardhmërisë së tyre.

Vota është thika ime shkruan David Lloyd George, dhe unë jam totalisht dakord me të, jam dakord sepse unë këtë sistem hipokrit nuk e vras me heshtje vdekatarësh oportunistë që hanë bukë në çdo krah, as duke u zhytur në det, as duke ngrënë fara ose duke mallkuar në monologje harrese, unë këtë sistem që më ka vrarë nga shumë jo nga pak çdo ditë dhe shpresë të jetës time e vras me prezencë, me kurajo me përballje duke i vënë një kryq mu në zemrën e sistemit, në votën e tij.

Share: