Kjo nuk është hera e parë që diplomatët heshtin kur në Shqipëri zhvillohen zgjedhje njëpartiake. Studiuesi i njohur Aurel Plasari ka publikuar një dokument të vitit 1945 kur amerikanët miratuan zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri.
Postimi i plotë i Plasarit:
Mbasi kam publikuar dokumentin sesi diplomatët, së toku me “vëzhguesit”, i trajtuan si “legjitime” votimet e vitit 1945 për “Asamblenë Kushtetuese”, e cila më 16 mars 1946 do të vendoste të kthehej në “Kuvend Popullor” duke i përcaktuar Shqipërisë instalimin e diktaturës, një mik më shkruan që – së paku – në ato zgjedhje kishte opozitë.
Jo, në zgjedhjet e 1945-s nuk merrte pjesë asnjë farë opozite. Kutitë që quheshin “të opozitës”, ato të marifetit me gogla dhe zhurmën e goglave, ishin vendosur në mënyrë provokative nga organizuesit e zgjedhjeve. Ja ku mund ta lexoni qartë në informacionin për Departamentin e Shtetit e vetë kreut të misionit ushtarak të ShBA në Tiranë, Jacobs, të datës 12 dhjetor 1945, i cili edhe e ka miratuar farsën.