Dashamirësia e kahershme e SHBA-së ndaj Kosovës

Analizë

Nga Urim Tusku

Nëse nuk do të ishin Shtetet e Bashkuara te Amerikës, sot do të kishim ende një Kosovë nën Serbi dhe në sytë tanë do të parakalonte padrejtësia e Serbisë në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Parë nga retrospektiva, bindesh akoma edhe më shumë për qëndrimin amerikan ndaj Kosovës, ku spikasin të drejtat e njeriut, që në emër të tyre u zhvillua edhe lufta e parë e NATO-s, qysh nga krijimi i kësaj aleance. Ishte këmbëngulja e SHBA-së, e cila mobilizoi të gjithë anëtarët e NATO-s për t’iu kundërvënë makinerisë vrastare të Millosheviçit.

Po çfarë ndodhi në të vërtetë në vitet’90? Duke parë gjendjen e nderë në rajonin e Ballkanit, që kishte fajtor kryesor Serbinë, diplomacia amerikane u vu në lëvizje. Do të ishte zëvendëssekretari i shtetit, Lurens Igëlberger, i pari që do të takonte Milosheviçin. Në takimet që bëri me të, zëvendësekretari, u shpreh shumë qartë se: “Shtetet e Bashkuara kanë një angazhim të ligjshëm për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Përveç kësaj ne kemi të drejtë të vendosim se si t’i shpenzojmë paratë e taksapaguesve tanë, ose t’i këshillojmë biznesmenët tanë se në cilat vende të investojnë. Nëse ne zgjedhim që t’u japim përparësi vendeve me respektim të mirë të të drejtave të njeriu, kjo është puna jonë si e bëjmë këtë zgjedhje”.

Dukej qartë se SHBA-të ishin të palëkundura nga qëndrimet e tyre, përsa i përket Kosovës dhe nuk e toleronin aspak Serbinë të vazhdonte të ndërmerrte veprime dhune. Në këtë periudhë, SHBA-të do të kërkonin të vendosnin marrëdhënie me elitën politike dhe intelektuale të Kosovës që më pas do të bëhej edhe udhëheqëse e të gjitha proçeseve. Një nga këta do të  ishte Ibrahim Rugova. Ishte hera e parë që vendosej kontakt me një njeri të tillë, i cili para ndërkombëtarëve denoncoi të gjithë dhunën që ushtrohej ndaj bashkëkombasve të tij. Kjo ishte një situatë shumë e tendosur, kudo shihje shqiptarë, të cilët sipas disa gazetarëve që e kanë vizituar këtë vend në atë përiudhë, dukej një pamje “si qetësia para stuhisë që pritej të fillonte”. Besimi i shqiptarëve të Kosovës do të ishte vetëm shteti paralel, i cili mund të kryente funksionin që kishte lënë pa përmbushur qeveria, e  cila e dominuar nga serbët më shumë shtypte se sa shërbente, duke e bërë gjendjen të padurueshme. Siç edhe e thamë më lart, amerikanët i vunë në dijeni drejtuesit e shtetit jugosllav, se nuk do të rrinin duarkryq nëse cënohej Kosova, por kjo më shumë ishte një lloj kërcënimi verbal se në praktikë situata paraqitej krejt tjetër. “Të ndodhur në këtë situatë, shqiptarët e Kosovës, krijuan shtetin e tyre, i cili mbahej me taksën e tre përqindëshit, kjo taksë paguhej vullnetarisht nga diaspora”.  Hyrja e Milosheviçit në shumë fronte lufte në Ballkan do ta bënte atë që të lëshonte pe, por pasi të kishte bërë masakër me popullsinë boshnjake dhe u mjaftua me marrëveshjen e Dejtonit, kjo e bëri botën perëndimore që ta vlerësonte si njeri të stabilitetit. Amerika e kishte dominuar NATO-n nën flamurin e integrimit, Franca kishte qenë kurdoherë e gatshme të ngrinte në qiell pavarësinë e Europës, duke i dhënë trajtën Bashkimit Europian. Interesimi amerikan ishte se ku do të vendosnin drejtësinë. Këtë mesazh e jep dhe vetë presidenti Bill Klinton në një takim të nivelit të lartë të NATO-s, në janar të vitit 1994, ku ndër të tjera ai u shpreh: “Unë u them të gjithë atyre në Evropë dhe në SHBA që thjesht do të na bënin të hiqnim një vijë të re në Evropë dhe në Lindje, se nuk duhet t’i mbyllim rrugën e mundësisë për një të ardhme mundësisht të mirë për Evropën, që është demokracia kudo, një ekonomi tregu kudo, popuj që bashkëpunojnë kudo për sigurinë e përbashkët”. Amerikanët ishin shumë të qartë, për një pushtet paralel që ishte krijuar në Kosovë, por që ende ishte i pafuqishëm. “Gjendja ishte e tillë që përshkruhej e tensionuar dhe kështu njerëzit nuk mund të thuhet se jetonin të qetë, ata shkonin e vinin për të kryer punët e tyre të përditshme, por nëpër rrugë rrinin duke kryer punët e tyre të përditshme, sepse nëpër rrugë rrinin në gatishmëri makina të blinduara dhe trafiku drejtohej nga njerëz me xhaketa ushatarake”, kujton Tim Judah, gazetar britanik. Të njëjtën gjë SHBA-të do të bënin dhe për Ballkanin, i cili ndodhej në qendër të Evropës, konfliktet që i kishin shoqëruar këtë rajon herë pas here përbënin një kërcënim për Evropën pacifiste. Por vetëm SHBA-të kishin interesa strategjike. Edhe pse situata ishte tejet e ndezur, Kosova në arenën ndërkombëtare nuk është se tërhoqi shumë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, për arsye se situtata në Bosnjë dhe Kroaci ishte më kritike dhe e gjithë vëmendja ishte përqëndruar aty. Edhe pse ishin shumë të zënë me çështje të tilla, amerikanët nuk është se ishin plotësisht të pavëmendshëm, por thjesht donin të gjenin rastin për të bërë paralajmërimet ndaj dorës gjakatare të Milosheviçit. “Më 24 dhjetor të vitit 1992, presidenti Xhorxh Bush i kishte dërguar Milosheviçit një telegram, që u njoh me emrin “paralajmërimi i Krishtlindjeve” dhe bëhej me dije Milosheviçit se nëse ai do të krijonte një konflikt të armatosur në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përgjigjeshin ushtarakisht.

Politika kosovare në këtë periudhë përcaktohej nga disa faktorë. I pari ishte që duhet ndenjur gjallë dhe të mos i jepej shkas serbëve të bënin spastrim etnik të krahinës. I dyti ishte që Kosova të mbahej, ose më mirë të vendosej, në rendin e ditës së bashkësisë ndërkombëtare dhe i treti që të krijohej një lloj legjimiteti i “Republikës së Kosovës”. Ndërsa në fillim Milosheviçi ishte pa dyshim armik, tani u krijua një simbiozë disi groteske midis Beogradit dhe Prishtinës. “Kjo filloi të bëhej e dukshme kur serbët në Kroaci dhe pastaj në Bosnjë filluan të “gdhendnin” republikat e tyre të veçanta në vitet 1991 dhe 1992, shton më tej Judah. Përfshirja e serbëve në shumë drejtime në luftë duket sikur i dha njëfarë frymëmarrje shqiptarëve, të cilët e mendonin se serbët nuk do të kishin më fuqi që t’i shtypnin. Mirëpo, studiuesi i njohur nga Kosova Shkëlzen Maliqi kishte një optikë tjetër të të parit të gjërave, ai shprehej: “Vendosmëria e Evropës dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, që shqiptarët duhet të jetojnë në juridiksionin e Serbisë, mund të krijojë një gjendje dëshpërimi të pashpresë, ashtu si një vendim gjyqi që një çift bashkëshortësh të cilët e urrejnë njeri-tjetrin dhe të cilët nuk mund të jetojnë më së bashku, të vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën banesë. Dhe, në qoftëse se njeri prej tyre do të kërkonte ta ndante banesën, gjykatësi do t’i thoshte atij me cinizëm: ti ke këndin tënd të vogël autonom në banesë dhe aty mund të qash të plasësh!”. Ishte një përshkrim shumë i saktë se në çfarë gjendje ishte Kosova në këtë periudhë dhe se si e shihte Europa. Por Shtetet e Bashkuar të Amerikës, nuk do të qëndronin mënjanë dhe do të bënin sehir sikundër kishte bërë Europa, makina e tyre diplomatike do të punonte. “Më 21 qershor 1991, Xhejms Beiker (James Baker), sekretari i shtetit të Shteteve të Bashkuara, kishte ardhur në Beograd për t’u thënë udhëheqësve të gjashtë republikave, veçanërisht Kroacisë dhe Sllovenisë, se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i njohnin nëse do të tentonin të ndaheshin nga Jugosllavia. Por ai iu tha gjithashtu, këtë herë posaçërisht Serbisë, se Shtetet e Bashkuara do të kundërshtonin çdo përpjekje për të ndaluar ndarjen me anë të forcës”,kështu e kujton një gazetar i huaj situatën. Edhe pse mesazhi ishte shumë i qartë për stabilitet në rajon, ngjarjet që rrodhën, treguan të kundërtën e këtij paralajmërimi. Kjo i bëri edhe shqiptarët e Kosovës të mendonin se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian nuk ishin të pandryshueshëm, kur këta deklaronin se nuk mund të shpallej pavarësia e Kosovës. Ishte hera e parë, që SHBA-të tregonin interesim për Ballkanin dhe pikërisht për Kosovën ato ishin të bindur që një krahinë e vogël e quajtur Kosovë, me një popullsi prej 2 milion banorësh me etnitet shqiptar, banonte këtu dhe ishte e shtypur nga pakica serbe. Kjo kishte ndodhur pasi me ardhjen e liderit nacionalist serb S. Millosheviç i kishte mohuar autonominë kësaj krahine dhe përdorte policinë për shtypjen e çdo revolte. SHBA-të kishin interesa për një Evropë paqësore dhe nuk do të lejonin një diktator si Millosheviçi të diskriminonte një popullsi vetëm se i përkiste etnisë jo serbo-sllave.

Tre javë pas ardhjes në pushtet të presidentit Klinton me 1993, sekretari i shtetit, Cristopher e theksoi sërish paralajmërimin që i kishin bërë diplomatët e mëparshëm “natën e Krishtlindjeve”, ky një reagim që kishte pasur ish-presidenti George Bush, i vjetri,  ku i kërkonin Millosheviçit që të mbante qëndrim paqësor ndaj Kosovës, në të kundërt SHBA-të do të ndërhynin pa hezitimin më të vogël. Kjo tregon sa e interesuar ishte administrata e re e presidentit Klinton në politikën e jashtme për të vendosur paqen dhe kryesisht në Ballkan, i cili po bëhej një rajon që vlonte nga tensioni i luftës në Bosnje dhe ziente në Kosovë. Shqiptarët po i bënin qëndresë paqësisht duke krijuar institucionet e tyre paralele. Nën udhëheqjen e Rugovës dhe të “Lidhjes Demokratike të Kosoves”, ata ngritën me ngulm por jo në mënyrë të dhunshme çështjen e pavarësisë duke bërë të ekzistonin edhe zyrat që kontrolloheshin  nga shqiptarët. Nga metodat që përdorte policia jugosllave urrehej se tepërmi për metodat e frikësimit. Kosova ishte tepër e tensionuar, por jo në luftë. Por ndërsa i sheh ngjarjet nga retrospektiva, është shumë e qartë se vëmendja e madhe e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, do të rritej pas konferencës së Dejtonit. Interesimi i SHBA-së për Kosovën do të vinte ne rritje, derisa në vitin 1999 do të ndërhynte ushtarakisht, për të ndalur një kasaphanë tjetër në Ballkan, siç kishte ndodhur në Bosnje.

Prandaj, kur shohim sot krijimin e ushtrisë së Kosovës, nuk mund të rrimë pa parë nga e shkuara, kohë në të cilën u hodhën edhe themelet e një Kosovëe të pavarur. Dihet se për krijimin e kësaj ushtrie, një faktor përcaktues ka qenë bekimi i ardhur nga SHBA, të cilat janë të qarta edhe për vitet që do vijnë dhe se çfarë kontributi do të japin më tej për Kosovën. Me te drejtë ne mund te flasim për një dashamirësi të SHBA-së ndaj Kosovës, gjë e cila vihet re edhe sot.

Share: