Vetëm me një pyetje do këputej gjysma e shtetit

Analizë Opinion

Nga Klodian Tomorri

Kjo puna e koncesioneve s’ka nevojë për hetim fare. Shikoni vetëm kriteret e tenderave si i kanë bërë.

Tek Orikum-Dukat e kanë bërë: Xhiro kumulative e shoqërisë në 3 vitet e fundit duhet të jetë sa 50 për qind e kostos së ndërtimit të rrugës. (Kostoja e rrugës 7 mld- Xhiro e koncesionarit 4 mld).

Tek Milot-Balldren e kanë bërë ndryshe: Xhiro kumulative e shoqërisë në 5 vitet e fundit duhet të jetë sa 30 për qind e kostos së ndërtimit të rrugës. (Kostoja e rrugës 20 mld lekë- xhiro e koncesionarit 6.8 miliardë).

Fiks në kokë.

Besoj, arsyeja se pse e kanë bërë 30 për qind për 5 vite dhe jo 50 për qind në 3 vite është e qartë. Po ta bënin si e para, nuk plotësoheshin dot kriteret nga fituesi. Kostum me porosi.

Te Teatri e kanë bërë: Xhiro kumulative e shoqërisë në 3 vitet e fundit duhet të jetë sa 40 për qind e vlerës së investimit. Përveç kësaj, kanë vënë dhe kusht që fituesi duhet të ketë arritur marrëveshje me pronarët e 40 për qind të tokave private perreth. Tokat i ka vetëm njeri aty, tenderi bëhet kot. Kostum me porosi.

Në tre prokurime, me të njëjtën formulë, me të njëjtin instrument, me gjithçka identike, janë vënë tre kritere të ndryshme. Te njeri 50 për qind për 3 vjet, te tjetri 30 për qind për 5 vjet, tek i treti 40 për qind për 3 vjet.

Shyqyr Zotit që s’kemi ndonjë çerek prokurori me sedër se ne do na kishte gjetur gjëma. Vetëm me një pyetje: Pse janë bërë ndryshe këto kriteret, do na këputej gjysma e shtetit. Tani do ishim në anarki. Na ka parë Zoti.

Share: