Femra të dënuara -Sharl Bodler

Kritikë Letrare Kryesore Kulturë Libri Reportazh / Profil

Ato, si ajo grigja që shtrirë mbi rërë rri menduar,
U hedhin horizonteve të deteve shikime të dridhura,
Këmbët duke dashur t’i prekin, duart duke i afruar
Mes ligështimve të ëmbla e rrënqethjeve të hidhura.

Ca prej tyre që kanë pritur aq gjatë një miqësi,
Belbëzojnë thellë gjethnajave ku përrenjtë gurgullojnë,
Rrokje për rrokje, dashurinë e të druajturës fëmijëri,
E gjethëza të reja pyjeve të gjelbër nisin e u bulojnë.

Ca të tjera, si murgesha ecin rrugës, gati duke u zvarritur,
Mes për mes shkëmbenjëve mbushur plot vegime
Aty ku San Antonio pa si një llavë të zjarrtë vervitur,
Gjokset lakuriq e të purpurt të të tijave tundime.

Ka edhe nga ato, që nëpër refleksin e rrëshirës rrëshqitëse,
Brenda boshllëkut të heshtur të pasqyrave pagane,
Të therrasin për ti ndihmuar në ethet e tyre flakëritëse
Ty o Baccho që fashit sëmbimet më antike mjerane!

Ka edhe të tjera që gjoksi i beqarëve u sjell aq kënaqësi,
Që duke fshehur një kamzhik në palat e fundeve të gjatë
Përziejnë në një cep pylli të zymtë a netëve plot vetmi,
Shkumën e butë të qejfit me lotët e dhimbjes së pamatë.

O virgjëresha, o djallushka, o mostra, o martirake
O shpirtra të mëdhenj që realiteti u jep përçmim të zi,
Kërkoni të pafundmen, herë të devoteshme herë dionizake,
Herë në ulurima thare, herë në dënesa të zëna pusi!

Ju që në ferrin tuaj shpirtin ma keni shpënë e keni shqyer,
Ju dua e mëshiroj, o motërzat e mia të shkreta në këtë botë
Për at ngrysje të vuajtjes, për atë etje kurrë të shpërblyer
Për ata lumenj dashurie që zemrat e mëdha ua mbushin plot.

Share: