Nga Urim Tusku
Propaganda si teknikë manipuluese daton herët në historinë e njerëzimit, pavarësisht formës që është përdorur, thelbi ka qenë gjithmonë i njëjtë. Synimi ka qenë i qartë: bindja e njerëzve, pavarësisht fakteve që pohojnë të kundërtën.
Në fillimet e shek. XX, propaganda do të merrte një tjetër dimension. Eduard Bernays, që njihet edhe si babai i marrëdhënieve me publikun, apo spin doctor, do t’i jepte një impuls suksesi këtij arti bindës. Ai ishte një talent i lindur në këtë fushë, por një ndihmesë të madhe dhanë e teoritë e Frojdit në lidhje me të pandërgjegjshmen tek njeriu, i cili është i ndikueshëm nga faktorët e jashtëm.
Me kalimin e viteve, këto mënyra të të bërit “Marrëdhënie me Publikun” kanë ardhur duke u perfeksionuar, sidomos vitet e fundit. Një instrument i rëndësishëm për të shpërndarë mesazhin kanë qenë padyshim mediet, që gjithmonë ka shërbyer si urë lidhëse midis dhënësit të mesazhit dhe publikut.
Një dukuri e tillë haset shpesh edhe në vendin tonë, duke pasur parasysh propagandën e bërë nga zyrat e shtypit të dikastereve. Rasti më flagrant është Bashkia e Tiranës, e cila ka një armatë të tërë në zyrën e shtypit, që bombardojnë nga mëngjesi në mbrëmje opinionin publik me aktivitete të bëra e të pabëra. Është arritur deri aty, sa në publik janë servirur aktivitete të kryetarit të bashkisë edhe kur ai ka qenë jashtë vendit. Ky është një model i shëmtuar, që synon t’i “hedhë hi syve” qytetarëve, për t’ua thënë atyre si me përdhunë se këtu po punohet.
Nëse e ballafaqon gjithë këtë spin me realitetin, duket ashiqare që po gënjehet, madje është një fyerje inteligjence për gjithkënd. Realiteti ku qytetarët jetojnë çdo ditë është “dramatik”, nëse e krahason lajle-lulet e dala nga zyrat e shtypit. Një shembull tipik është transporti urban në kryeqytet, i cili është mizerabël, por makina e propagandës e transmeton krejt ndryshe atë. Ai paraqitet aq i denjë, sa edhe vetë kryetari i Bashkisë, si për t’u “relaksuar” e përdor atë, për të mos ngelur me orë të tëra në trafik.
Kjo është një situatë që i kalon limitet e spin-it, deri në butafori. Duke parë këtë realitet, opinioni publik çoroditet dhe ndahet në dy pjesë, në ata që i besojnë kësaj propaganda dhe të tjerët që janë të detyruar të jetojnë me këtë realitet. Pala që ka skeptrin e opozitarit përdor të njëjtat metoda, duke ulur ndjeshëm besimin e publikut tek ajo.
Përballë kësaj situate merren edhe vendime pa u konsultuar aspak me grupet e interesit. Rastet janë të shumta, por disa janë për t’u prekur, sepse ilustrojnë dukurinë. Në këtë mizanskenë, merren “ekspertë” në pyetje nga media për çështje nga më të ndryshmet, të cilët japin mendimin e tyre në sintoni të plotë me bashkinë. Çuditërisht iu përkojnë gjithmonë mendimet, ngritja e çmimit të ujit, projekti urbanistik etj. Gjithçka përkon me planet e bashkisë, e cila rreket herë pas herë të bindë për nismat e saj, që çdo gjë bëhet ne funksion të mirëqenies së qytetarëve.
Edhe punët që bëhen ne kryeqytet, kanë më shumë karakter manipulues se sa aspekte të dobishmërisë, në funksion të përmirësimit të jetës. Gjithandej shihen objekte në ndërtim, ku bashkia nuk heziton të jetë përkarshi me tabelat e saj. Shembulli i gjithë kësaj dukurie ishte me parkun e lojërave (7xhuxhat) për ndërtimin e një shumëkatëshi në funksion të privatit. Por bashkia nxitoi edhe këtë radhë të mbulonte diellin me shoshë, duke ndërtuar parkth lodrash, që nuk e justifikojnë aspak hapësirën ekzistuese, sepse pjesën më të madhe e ka marrë ndërtimi i shumëkatëshit.
Situata është edhe më e rëndë në nivel qendror të qeverisjes, aty teknikat e marrëdhënieve me publikun janë edhe më të stërholluara, por gjithsesi është i dukshëm synimi i tyre propagandistik. Kryeministri është përpjekur me të gjitha format ta delegjetimojë medien, duke e quajtur atë kazan. Ndërsa vetë kryeministri, falë rrjetit social facebook, ka hapur një televizion ERTV(inicialet e emrit të tij). Në atë “media” ai shpërndan mesazhet e tij megalomane. Qytetarët zgjohen në mëngjes me pamje të mbërritura nga qendra dhe periferia, kur tregohet qartë se Shqipëria po ndryshon (rilind). Sikur të mos mjaftonte zyra e shtypit, vetë Kryeministri kujdeset deri në imtësi për të shpërndarë mesazhe të tilla. Shpeshherë ai iu kundërvihet vetë komentuese, ku ankesat e tyre për t’i treguar Shqipërinë reale Kryeministrit, marrin mbrapsht qesëndinë e tij. Dikujt i thotë “shko shkollohu”, një tjetri “të hapë sytë e të shohë…” etj.
Ata që kanë në dorë pushtetin, kërkojnë që njerëzit të mos i besojnë realitetit, kacafytjen e përditshme me vështirësitë e jetës, qoftë në aspektin ekonomik apo infrastrukturor, por të besojnë atë çka thotë i pushtetshmi Kryeministër.
Instrumentet janë të gjitha në duart e më të fortit, pushtetit, për aq kohë sa propaganda e tij shpërndahet në eter me një përplasje të vazhdueshme me realitetin. Qytetari do të vazhdojë të sodisë mbretin lakuriq, por propaganda do thotë të kundërtën. Ky nuk është një kurth, si këngëzimi i sirenave të Odiseut, kjo është një zhurmë cingërritëse. Por për sa kohë që forca është e rreshtuar nga pushteti, veshët tonë do të dëgjojnë trumbetat e propagandës./http://redaktori.com