Aktorët e humorit i kemi imagjinuar gjithë duke qeshur, ose edhe kur janë tejet seriozë, të na bëjnë për të qeshur… por jo për të qarë.
Mjeshtri i humorit, Agron Llakaj, nuk i mbajti dot lotët dje, kur mësoi humbjen e kolegut dhe mikut të tij, Muhamet Liko. Kaq shumë kujtime në vite, saqë e ka të vështirë që të ndajë qoftë edhe njërin prej tyre, në këtë ditë të trishtë.

Moskëtieri i parë na la! Lamtumirë Meti dashur!” shkruan në rrjetet sociale Agron Llakaj. Prej këtij mesazhi të ndjerë, por edhe për faktin se vazhdimisht i kemi parë në skenë së bashku, përpiqemi t’i shkëpusim diçka më tepër, por që sërish mbetet brenda kornizës së trishtim it të një dite si kjo.
“Metin e kam njohur për herë të parë si spektator. E adhuroja katërshen e ‘Parodistëve të Vlorës’ dhe sot e kësaj dite, të tillë mbeten te mua. Unë i kam quajtur ‘4 Moskëtierët’ e humorit shqiptar. Asnjëherë s’e kisha menduar që një ditë do i kisha aq të afërt në shumë e shumë koncerte. I kam pasur preferencialë, në ‘Portokalli’, por dhe në ‘Al Pazar’. Flas në shumës sepse asnjëherë talenti i njërit nuk ishte i ndarë nga tjetri. Meti ishte ‘kripë’ humori, i qeshur dhe hokatar, i dashur dhe një koleg i mrekullueshëm”, thotë Llakaj. Si një nga ata njerëzit, që bëjnë gjithmonë dhe kurdoherë oponencë me humor, ai nuk mund ta lerë pa përmendur edhe reagimin e vakët mediatik.
“Nuk e mendoja kurrsesi se do vinte një ditë të flisja për Metin në këto rrethana. Jeta e tillë është, por përtej të gjithave, u trondita dhe nga reagimi i ekraneve. Unë mendoj se vdekja e tij është më shumë ngjarje se sa takimi i Bashës në Kurbin apo dhe i Ramës në ndonjë prezantim kandidati.
Këtë e quaj mungesë respekti dhe s’di çfarë emri t’i vendos. Në memorien kolektive, Meti ishte dhe do mbetet etalon në llojin e vet dhe i papërsëritshëm!” thotë ai.