Raporti/Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë

Aktualitet Kryesore Politikë

Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa prezantoi  paketën vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin evropian, eurokomisioneri Jonahes Hahn tha se Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociata me këto dy vende të Ballkanit Perëndimor. “Duhet ti përmbahemi angazhimeve tona” tha Hahn, ndërsa njohu progresin e bërë nga vendi ynë sa i përket reformave.

“Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten shumë sfida. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende. Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë

Shteti ligjor, qëllimi kryesor i politikës së zgjerimit është të eksportojmë stabilitet, është nevojë që Ballkani Perëndimor të bëjë më shumë progres në pajtim, fqinjësi të mirë. Sfida kryesore mbetet ekonomia, e cila përballet me dobësi. Duhet të reformohen. Çështjen e papunësisë duhet zgjidhur, çështja e emigracionit dhe lindjet e ulëta janë problem. Standardet e jetesës duhet të rriten pasi janë të ulëta”, tha Hahn.

“Jam i kënaqur se si Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë ndjekur reformat. Shqipëria ka çuar përpara reformat, veçanërisht një transformim të madh të sistemit të Drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve.” -vijoi më tej Hahn.

“Maqedonia e Veriut jo vetëm që vijon reformat e saj ambicioze, por arriti dhe një marrëveshje historike me Greqinë, duke zgjidhur problemin e gjatë të emrit. Kjo marrëveshje, së bashku me atë të arritur me Bullgarinë, është një shembull për forcimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, është një shembull i shkëlqyer për vendet e tjera, dhe dëshmon fuqinë tërheqëse të perspektivës europiane. Të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, vecanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në Qershor 2018. Për këtë arsye Komisioni europian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Që të mbetet i besueshëm, Bashkimi europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe t’u përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre”- u shpreh Hahn.

Këto dy çështje do të diskutohen më vonë në nivel të ministrive të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pasi vendimi i fundit për hapjen e negociatave merret nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së përmes një samiti të rregullt.

Raport i këtij viti gjithashtu është i rëndësishëm për Bosnjë e Hercegovinën, e cila këtë herë merr zyrtarisht dokumentin e quajtur Avis, që është mendimi i Komisionit Evropian për gatishmërinë e vendit që të bëhet kandidat për anëtarësim të plotë në BE.

Ky është një dokument, i cili do të përcaktojë gjendjen e përgjithshme të vendit dhe gatishmërinë e saj për t’u bërë anëtare potenciale e BE-së.

Share: