Del lista e barnave që do të merren pa recetë nga mjeku

Kryesore Sociale

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka publikuar listën e barnave që tregtohen pa recetë mjekësore, në përgjigje të gjithë atyre që nuk kanë arritur ta gjejnë. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot listën e plotë me emërtimet e 813 barnave, të cilat merren pa recetë nga mjeku. “Mbështetur në nenin 102, pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në pikën 1, të nenit 52, të ligjit nr. 105, datë 31.7.2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, si dhe në shkresën nr. 3200/1 prot., datë 2.7.2018, të Komisionit të Përhershëm të Barnave, “Mbi propozimin për përditësimin e listës së barnave pa recetë mjekësore në Republikën e Shqipërisë” urdhëroj: Miratimin e listës së barnave OTC, sipas tekstit bashkëlidhur këtij urdhri”,-theksohet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë në farmaci dhe agjencitë farmaceutike lejohet tregtimi pa recetë mjekësore vetëm i barnave që përfshihen në listën OTC. Farmacistët duhet të bëjnë kujdes pasi tregtimi në farmaci pa recetë mjekësore i barnave jashtë kësaj liste përbën shkelje administrative dhe ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi. Kjo listë përfshin ato barna që janë të sigurta dhe që përdoren në kurimin e problemeve joserioze, në mënyrë që pacienti t’i përdorë pa pasur nevojë të shkojë te mjeku e për t’u pajisur me recetë. Por, meqenëse tregtohen në farmaci, t’i marrin duke u këshilluar me farmacistin lidhur me zgjedhjen e saktë dhe përdorimin korrekt./GSH

 

 

Share: