“Kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime, prishi krejt urat, digji tërë anijet”

Kulturë

Poezi nga Shqiptar Oseku

kur dikush të kërkon bukë
ndaje koren e fundit me të bija ime
më mirë të jeni bashkë pak të uritur
se të ngopesh vetëm

kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori
shpije te pusi i oborrit nën man
ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër
por hija i bën ende fllad

kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime
prishi krejt urat digji tërë anijet
mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt
po s’qe së pari njeri.

 

 

Në autobusin e unazës, Tiranë

Nuk quhet ashtu
pse pasagjerët aty flakin
unazat për dritare.
Po pse me të shkohet
ne rreth: nuk arrin
kurrë. Jo tamam.
Unaza, ky simbol
i rrethit. Figura gjeometrike,
që në çdo pikë
të mban njesoj larg
nga zemra.
Përbërësi thelbësor
në çdo perpetuum mobile.
Veç pse është.
Rrethues. Dhe ti shkon
me të.

 

 

 

Shqiptar Oseku, 45 vjeç, lindi në Gjakovë. Ai u arratis si i ri në Suedi,
ku  jeton prej 26 vjetësh. Ka studiuar punën sociale në Stokholm, e ka
punuar 14 vjet si terapist. Poezia e tij kthen shpesh tek eksperiencat e humbjes,
ekzilit dhe shkëputjes. Ka përkthyer 7 antologji poetike nga shqipja në suedisht
dhe anasjelltas. Ka botuar edhe 3 përmbledhje të vetat, e fundit syresh,
“Requiem për njē dashuri”, te Shtëpia botuese PA, Prishtinë 2014.

Share: