ÇAPAJEV GJOKUTAJ
Këto ditë, televizione, gazeta e portale përcollën lajmin se, në rast të një lufte bërthamore, do të ishim një nga vendet më të sigurta në botë. Ardhkëshim menjëherë pas ShBA-ve dhe Zvicrës, duke lënë pas Suedinë e pastaj me radhë gjithë botën. Lajmi i bujshëm ishte marrë nga britanikja “Express”.
Gazetari britanik shkruante se bunkerët shqiptarë janë ndërtuar në kohë krize ekonomike dhe shtrëngesash strehimi, por nuk u përdorën asnjëherë për luftë. Gjithsesi, në rast të një konflikti bërthamor,punët mund të ndryshojnë kryekëput. Nga barrë e kotësi, bunkerët mund të kthehen në aset të çmuar. Sipas statistikave të shfrytëzuara nga gazetari, çdo 4 shqiptarëve u takon një bunker. Bollëk e siguri afër komoditetit, ndaj e merituakemi të jemi në vendin e tretë…
Mesa duket, britaniku ka lexuar ca statistika të 20 e kusur viteve më parë dhe, bazuar mbi to, ndërton një realitet që jo vetëm nuk e njeh, por as e përfytyron.
Nga ato që thuhen në shkrim, kuptohet se ShBA-të, Zvicra e Suedia jo vetëm i kanë ndërtuar bunkerët, por kanë edhe politika të përditësuara në vazhdimësi, madje kanë edhe praktika administrative për t’i ruajtur e mirëmbajtur, deri edhe sisteme online që ndihmojnë qytetarin të gjejë strehimin më të afërm në rast rreziku.
Me një fjalë, vende të tilla i kanë bunkerët asete në administrim dhe jo fantazma betoni të lëna në mëshirën e fatit. Vështirë se sot te ne gjendet institucion a specialist të dijë sa bunkerë kemi e në ç’gjendje janë, sa prej tyre u kanë shpëtuar erozionit, aluvioneve, shkatërrimit për skrap etj., sa plotësojnë kushtet të përdoren si strehime atomike, sa janë pranë qendrash të banuara e sa skërkave, që vështirë se arrihen në rast alarmi bërthamor etj., etj.
Mes kësaj rrumpalle menaxhuese, një gjë mund te themi gojëplot: shumicën e bunkerëve, vështirë se i kemi asete. Më shumë mundësi ka të jenë mbeturina e karakatina të braktisura në mëshirën e fatit.
2. Bunkerët dhe mbrojtja antiatomike janë gjë e madhe dhe e rëndësishme, por unë nuk kam as përgatitjen dhe as vokacionin të merrem me fortifikime. Shembullin e solla për të diskutuar një problem tjetër: qëndrimi që mbajmë ndaj atyre që media dhe personalitete të huaja thonë për realitete tonat.
Mediat e huaja prestigjioze, që shkruajnë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të sotmen dhe të djeshmen tonë, meritojnë respekt dhe vëmendje maksimale. Disa tipare si profesionalizmi i lartë, të punuarit shpesh në skuadër, ku gazetarët e redaksive bashkëpunojnë me reporterë terreni; intervistimi i specialistëve më në zë për problemin që trajtohet etj., etj., bëjnë që vërtetësia e raportimeve të jetë e kënaqshme dhe pranë realitetit.
Megjithatë, vështirë të gjesh media dhe gazetarë të huaj që ta njohin jetën shqiptare më mirë se profesionistët dhe reporterët tanë. Ndaj tingëllon e pakuptimtë praktika aq e ndeshur për ta marrë lajmin a shkrimin e mediave të huaja dhe për t’ia përcjellë lexuesit vendës pa kurrfarë qëndrimi edhe kur, si në rastin e bunkerëve, dallohet ashiqare se kumtimi dhe e vërteta mund të jenë larg.
Arsyet pse praktikohen përcjellje të tilla mekanike mund të jenë shumë, por pothuajse kurdoherë nuk bëhen për hir të së vërtetës dhe të informimit korrekt. Ndodhin për arsye të tjera, që nisin me rehatinë dhe dembellëkun profesional dhe bitisin me interesa politike. Prestigjiozet ndërkombëtare, për hir të autoritetit që gëzojnë, besohen shumë më lehtë sesa mediat vendëse, përgjithësisht të pozicionuara, në mos në llogoren e kësaj apo asaj pale politike, të paktën në ledhin e pronarit dhe të bizneseve të tij.
Reputacioni i mediave te njohura ndërkombëtare është gjë e madhe, por vështirë se e gjen kurdoherë pranë së vërtetës, sidomos kur fjala është për vende të vogla dhe jo fort të njohura në botë, siç është dhe ky yni.
3.Dëmi që sjell informacioni i pasaktë apo i interpretuar keq nga media dhe autoritete prestigjioze ndërkombëtare është i madh dhe shpesh afatgjatë. Për ta ilustruar më bindshëm, le ta lëmë rrafshin publicistik e të vijmë në rrafshin shkencor ku, megjithëse vërtetësia e fakteve dhe objektiviteti i interpretimeve merr shumë më tepër peshë, nuk mungojnë raste që u vijnë ndesh fakteve dhe realiteteve shqiptare.
Jo një herë rastis të lexosh p.sh. se dialektet e shqipes, gegërishtja dhe toskërishtja, kanë kaq shumë dallime nga njëri-tjetri, saqë gegët dhe toskët e thjeshtë vështirë të kuptojnë njëri-tjetrin. E has këtë konstatim edhe në botime serioze shkencore e me ndikim të madh. Mund ta lexosh p.sh. në librin “Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780” të historianit të famshëm Eric Hobsbawm, ashtu si mund ta hasësh në “Banal nationalism” të akademikut britanik Michael Billig.
Të dyja këto vepra renditen ndër më të cituarat dhe rrjedhimisht më me ndikim në literaturën për nacionalizmin. Siç mund të kuptohet, as Hobsbawm dhe as Billig nuk merren gjatë me shqipen e dialektet e saj. Aq më pak mund të thuash se duan të shtrembërojnë realitetet gjuhësore shqiptare për interesa vetjake. Madje është vështirë të qortosh përgjithësimet teorike që bëjnë për rolin që luajnë gjuhët dhe dialektet në identifikimin etnik e kombëtar. Problemi është se thonë dhe, rrjedhimisht, përhapin një të pavërtetë për shqipen.
Dialektologjia shqiptare prej kohësh ka ardhur në përfundimin se dallimet midis gegërishtes dhe toskërishtes nuk kanë qenë dhe nuk janë aq të mëdha sa të pengojnë komunikimin ndërdialektor. Madje, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar pohohet se dallimet mes toskërishtes dhe gegërishtes janë më të lehta se ato të dialekteve në disa gjuhë europiane. Dhe ky pohim nuk është bërë kuturu për sedër kombëtare, por duke u mbështetur në kërkime sistematike dhe të hollësishme për dialektet, kërkime të bëra sa në realitetin e gjallë të ligjërimit aq edhe në tekste historike.
Përkundrazi, edhe Hobsbawm, edhe Billig e mbështesin pandehmën e moskuptueshmërisë gegë-toskë në burime të diskutueshme, madje edhe anekdotike si p.sh. rasti i shoqëruesit të Edit Durhamit, që i pandehte toskët identitet tjetër, krejt të ndryshëm, madje as të krishterë.
E tepërt të shtosh se duhet gjykuar në peshoren e fakteve gjithçka e pohuar nga të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët, qofshin këta edhe dijetarë me emër e dinjitet shkencor.
4. Prej dekadash gjallon opinioni se një nga arsyet e sukseseve të para të Ismail Kadaresë në Francë ka qenë përkthimi prej Jusuf Vrionit. Dhe jo pa shkak. Në shkrimet për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, botuar në mediat frënge më 1970, mëse një herë vlerësohej përkthimi dhe shprehej keqardhja që përkthyesi mbetej anonim.
Mbështetur mbi vlerësime të tilla, në shtypin dhe sidomos në kafet e Tiranës së asaj kohe, u thur një narrativë e strukturuar në dy shina: Kadareja është vërtet talent i rrallë, por e ndihu dhe fati, pa përkthimet mjeshtërore të Vrionit vështirë se do t’i pëlqente publikut frëng, aq buzëhollë në shijet letrare.
Në vitet ‘90 nuk munguan tentativat për ta rimarrë e modifikuar dukshëm narrativën e suksesit të Kadaresë në Francë dhe më gjerë. Në thelb u synua të sfumohej sidokudo roli i talentit dhe të stërzmadhohej roli i përkthimit, duke venë theks të veçantë te mbështetja që regjimi kishte investuar në favor të njohjes ndërkombëtare të Kadaresë.
Modifikimi kësisoj i narrativës në fjalë vinte si pjesë përbërëse e përpjekjeve për të dekonstruktuar mitet e periudhës totalitare. Ishte kjo një qasje e drejtë dhe dobiprurëse, por në rastin e Kadaresë rezultoi disi donkishoteske. Koha duket se ka justifikuar diskutimet kundër dhe pro për qëndrimet politike të Kadaresë në periudhën totalitare. Por, parë nga e sotmja, ngjajnë disi fëmijërore, në mos inatçore, përpjekjet për të relativizuar e mohuar talentin e tij dhe, ca më keq, për t’i bërë hije duke pompuar ndonjë shkrimtar mesatar si Kasem Trebeshina.
Të gjitha këto m’u kujtuan ditë më parë, kur më rastisi të lexoj një dëshmi intriguese në ‘Peizazhe të fjalës’. Dashnor Kokonozi fliste për një kolokium ndërkombëtar rreth veprës së Kadaresë, organizuar në Francë dhjetë vjet më parë. Botuesi i Kadaresë, Claude Durand, thotë Kokonozi pat folur në kolokium “për problemet që dilnin me përkthimet e z. Vrioni, që me sa dukej nuk i përgjigjeshin nivelit bashkëkohor të gjuhës dhe letërsisë frënge, se të kujtonin diçka nga gjuha e romaneve të viteve ‘30” dhe pastaj pat lënë të kuptohej se “mbi përkthimet e ardhura nga Shqipëria bëhej një punë e madhe” prej redaktorëve francezë.
Ky qëndrim i Durand duket se ka një bazë logjike. Vërtet Vrioni ishte njohës i mirë i frëngjishtes, madje i pajisur me sens të hollë ndaj fjalës, por qysh nga fillimi i viteve ‘40 nuk kishte pasur më kontakte as me frëngjishten e folur dhe, përgjithësisht as me letërsinë korente frënge. Në këtë kontekst, është e mundur që vlerësimet e kritikëve francezë për përkthimin e “Gjeneralit…” etj., të jenë për punën në themel të Vrionit, por edhe për rifiniturat dhe përditësimet e redaktorëve frëngë.
Lenë mënjanë hamendjet, siç e thotë dhe Kokonozi, mund të gjendet lehtë ç’është e Vrionit dhe ç’është e redaktorëve. Mjafton që një njeri i zanatit dhe njohës i mirë i frëngjishtes të krahasojë versionin frëngjisht të “Gjeneralit…”, botuar fillimisht në Tiranë, me versionin që pastaj u botua në Paris nga “Albin Michel”.
Por kjo kërkon punë të ngulur e të mundimshme. Është shumë më lehtë të thurim mite në tezgjahun e gërmërit levantin, mite që formësohen mbi hamendje, pëlqime e mërira provinciale dhe pastaj spërkaten me dëshmi të huajsh.
5. Kontributet e të huajve për të studiuar Shqipërinë dhe shqiptarët janë kaq të çmuara, saqë jo në pak raste mund ta zhvleftësonin proverbin për birin që i tregon arat babait. Pa albanologët e huaj të shekujve XIX dhe XX, dijes për gjuhën, historinë dhe kulturën tonë do t’i mungonte një nga gjymtyrët kryesorë. Zhvillimet tona të sotme ekonomike e shoqërore, shumë më saktë dhe më thellë sesa në botime akademike shqiptare a në strategji qeveritare, i gjen të analizuara në studime dhe raporte të institucioneve ndërkombëtare si ato të Bankës Botërore, Bashkimit Europian etj..
Megjithëse, duke filluar që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, qendra e studimeve albanologjike ka kaluar në Tiranë e Prishtinë, historianë të huaj si Noel Malcolm, Bernd Fischer, Oliver Schmitt etj., kanë sjellë kontribute të pazëvendësueshme për studimin e historisë së Kosovës, të periudhës së monarkisë, të Shqipërisë veneciane etj..
Suksesi i tyre lidhet sa me metodologjitë dhe qasjet historiografike bashkëkohore, sa me punën e ngulur prej profesionisti në arkiva, gjer dje pak ose aspak të shfrytëzuara nga historianët tanë, aq edhe me faktin se autorë të tillë, duke qenë të huaj, janë më pak të ndikuar nga pasione politike dhe stereotipa vendës.
Kjo puna e stereotipave të kujton librin interesant të Noel Malkolmit “Agjentët e Perandorisë”, përkthimi i të cilit në shqip kaloi thuajse pa u vënë re, paçka se për të shkruan “The Economist”, “Financial Times”, “The Guardian” etj..
Edhe ato pak gjëra që u thanë aty-këtu dhe kalimthi në mediat tona, kërkonin shqiptaren e shqiptarësinë në një kohë që libri rreh gjetkë. Përmes historisë së dy familjeve shqiptare nga Ulqini, sjell një pamje impresionuese të botës mesdhetare të shekullit të 16, ku otomanët, venedikasit, Papati, habsburgët, spanjollët etj., jo vetëm ndeshen, por edhe japin e marrin me njëri-tjetrin, bëjnë tregti, diplomaci, konvertime, spiunllëqe. Është një pamje krejt ndryshe nga ajo që japin historiografia dhe ca më britshëm letërsia dhe publicistika jonë që, të ngujuara në llogoret e qasjeve orientaliste dhe esencialiste, e kanë bërë zakon ta ndajnë botën mesdhetare në dy kampe, njëri në lindje e tjetri në perëndim, njëri i errësirës e tjetri i dritës dhe, si të tillë përjashtojnë njëri-tjetrin dhe vetëm ndeshen e përleshen.
Nuk mund të mohosh faktin se jemi vend i vogël, ndikimi ynë në rrjedhat e aktualitetit europian e më gjerë është gati-gati i papërfillshëm. Rrjedhimisht, edhe vëmendja e mediave dhe profesionistëve për problematika shqiptare është sporadike dhe jo rrallë, edhe e sipërfaqshme.
Në këtë kontekst tingëllon sa fëmijënor, aq edhe provincial huqi i Tiranës politike dhe shpesh edhe i asaj mediatike, që çdo gjë që thuhet nga media e personalitete të huaja të merret si e vërtetë 24-karatëshe a të përgojohet si shpifje safi.
Kuptohet se në të dyja ekstremet nuk luftohet as për të vërtetën, as për informimin korrekt. Halli është tek interesa politike të ditës dhe zëri i të huajve përdoret si tymues për të fshehur faktin se përditë e më shumë klasa jonë politike dhe lakenjtë e saj po humbasin rëndshëm besueshmërinë dhe legjitimitetin, ndaj kërkojnë të çapiten sidokudo, mbështetur në patericat e të huajve.