Kur Edi Rama tha në Beograd se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, mijëra shqiptarë dolën në rrugë dhe e hodhën vallen me tupan e surle. Ishte pak irracionale ajo dalldi, por nejse, gëzimi i papërmbajtshëm duket simpatik.
Ndoshta është sakrilegj, por duhet t’u përkujtohet propagandistëve se pasi u zgjodh kryeministër i Kosovës për herë të parë në vitin 2004, Ramush Haradinaj i dha një intervistë një gazete austriake, ku thoshte se edhe Kosova duhet t’i kërkojë falje Serbisë për krime të luftës.
Për kontaktet e tij me Milan Radoičić-in tashmë dihet. Andaj loja hero-tradhtar është e pafundme. Si Kosova, si Shqipëria kanë nevojë të madhe për politika zhvillimore dhe jo për gozhdime të përditshme mes politikanëve.