Shi i dendur në Tiranë, pengohet aktiviteti i “Ditës pa makina”

Aktualitet Kryesore Sociale

Ditën e sotme në Tiranë është paralajmëruar se do të organizohet ‘Dita pa makina’. Lidhur me këtë nismë e cila organizohet prej vitesh në kryeqytet janë njoftuar një sërë aktivitetsh që do të mbahen.

Mirëpo, duket se reshjet e dendura të shiut që kanë pushtuar Tiranën nuk po lejojnë nisjen e tyre.

Akrivitetet e organizuara ishin parashikuar të nisnin në orën 09:00, mirëpo, duket se shiu që nuk ndalet nuk po lejon hapjen e tyre.

Më poshtë aktivitetet e njoftuara që do të mbahen nga bashkia:

Panairi i bujqësisë para Ministrisë së Bujqësisë, qytetarët do njihen me disa nga produktet e zonës, e për të vijuar më tej me panairin e operatorëve turistikë.

Ndërkaq, në parkun “Rinia” zhvillohet finalja e lojërave olimpike për shkollat 9-vjeçare, duke vijuar përgjatë gjithë bulevardit me aktivitete të ndryshme sportive, volejboll, basketboll, kalceto, ping-pong etj.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshin “Nënë Tereza” do të zhvillohet edhe Panairi i antikuarëve të Tiranës, ndërsa do të ketë edhe një ceremonial i skulpturave të Partizanëve. Gjithashtu, është menduar një program i pasur artistik, ku nuk do të mungojë Kori i Shkollave të Mesme, shfaqja e filmave të vjetër shqiptarë me temë nga LANÇ etj.

Tek Pallati i Kongreseve do të jetë e vendosur një tjetër skenë, për korin e Liceut Artistik e dirigjuar nga dirigjentja e mirënjohur Suzana Turku. Në  Sheshin “Nënë Tereza” mbahet Panairi i Ushtrisë, ku do të ekspozohen disa nga asetet e Forcave të Armatosura, përkatësisht të Forcës Ajrore, të Forcës Tokësore, të Forcës Detare, gomone dhe polumbarë, e mjete të tjera të detarisë.

Share: